MUNDIMI I SIZIFIT
(Një shkrim i fundit i Veli Llakaj, ish - shef i Shtabit te Përgjithshëm te ushtrisë s
hqiptare, ku ai rrëfen se si u harxhuan miliarda dollarë për te vene ne jete planin absurd e paranojak te diktatorit
Enver Hoxha: "Shqipëria - pëllëmbe e qendër zjarri ", me solli nder mend e me riktheu ne epokën e Mundimeve te Sizifit )
Nga Vasil Qesari
Aso kohe, fati tragjik i shqiptarëve, ngjante me atë të heroit të mitologjisë greke Sizifit i cili, i dëbuar nga Zeusi në ferr, qe dënuar përjetësisht të shtynte
drejt majës së një mali, një shkëmb gjigant. I gjori Sizif ! Sa herë që, pas shumë mundi e sakrificash titanike, arrinte t'i afrohej majës së tij, shkëmbi i shpëtonte nga krahët e rrokullisej
tatëpjetë. Atëherë, ai zbriste plot lëngatë e rifillonte nga e para mundimin e tij eternel. Ashtu si Sizifi edhe shqiptarët qenë të dënuar në jetë të jetëve nga Partia - Zeus, të mbanin në shpirt
frikën e rrethimit dhe ankthin e pafund të kërcënimit të luftës. Ankth e frikë, të cilat, nuk do të vononin të merrnin trajtat e një super BUNKERI, kupola e të cilit, do të mbulonte gjithë vendin
e do bëhej sinonim i vetë jetës, ekzistencës totalitare .
Sipas Ramiz Alisë, ish pikërisht Mehmet Shehu, ai që hodhi i pari idenë e ndërtimit të qindra mijëra bunkerëve, anë e mbanë vendit. Ndërsa, sipas Veli Llakaj ish
ideja dhe urdhri i Enverit. Pra e atij qe me mendjen prej "strategu ushtarak", bëri bunkerizimin e plotë të Shqipërisë. Ne fakt, një veprim i tillë, sa absurd aq dhe haluçinant, nuk qe thjesht
paranojë. Mbulimi i vendit me bunkerë, më tepër se aksion strategjik, do të kish edhe efekt të madh psikologjik në popull. Ai, përveç gjenerimit të një tensioni të vazhdueshëm, do të garantonte
po ashtu edhe izolimin total të vendit. Mbajtjen në alarm e gjendje lufte të gjithë shoqërisë e, në rast nevoje, edhe sakrifikimin e shkatërrimin e saj të plotë.
PLAZHE DHE BUNKERE
Kështu, duke nisur nga viti 1978, Enver Hoxha lëshoi mbi shqiptarët, po të njëjtin mallkim e dënim, si ai i Zeusit ndaj Sizifit. Kështu, në mbarë vendin nisi
fushata masive e ndërtimit të bunkerëve, numri i të cilëve arriti në rreth 700 mijë. ( Veli Llakaj thotë se në gjithë vendin u ndërtuan 360 000 qendra zjarri të betonta, 3 264 pozicione zjarri
artilerie të fortifikuara, nën tokë u ndërtuan mbi 1 000 pika vrojtimi ( shumë prej tyre me disa dhoma e ambiente) të fortifikuara. Pa zëne ne goje pastaj, qindra tunele të nëndheshme e mijëra
vendstrehime kolektive për popullatën ).
Ishin male të pafund çimentoje, qindra mijëra ton hekur transportuar me kamionë, mushka e, sidomos me krahët e njerëzve, te cilët u shndërruan në bunkerë,
tunele e fortifikata. Një popull i tërë, dhjetëra e dhjetëra ndërmarre ndërtimi, fabrika çimentoje e uzina hekuri, punonin ditë e natë vetëm për mbrojtjen e vendit. Partia kish lëshuar thirrjen:
Atdheu në rrezik ! Mbrojtja e atdheut, qe bërë, detyrë mbi detyrat ...
Për pak vjet gjithë kufiri shtetëror, aty nga do të tentonin të hynin armiqtë u përforcua me disa breza mbrojtje bunkerësh e fortifikimesh. Peizazhet e bregdetit,
fushave, kodrave e luginave shqiptare u tjetërsuan. Por, autoritetet si të mos mjaftonin malet e fushat, mbollën me bunkerë edhe të vetmet e të fundit vende natyrore argëtimi për njerëzit. Në çdo
50 metra, me një dendësi të habitshme e revoltuese, plazhet buzë detit u shëmtuan nga ato monstra të neveritshme prej beton-arméje.
( Ndërtimi i bunkerëve me një dendësi të tillë impresionante nëpër plazhet e bregdetit të Vlorës, ngjalli zemërim e revoltë të heshtur, në pjesën më të madhe të
banorëve të tij. Por, më e keqja ishte se, si për të sfiduar çdo gjë të bukur, bunkerët u ngritën jo vetëm në plazhet e brigjet piktoreske të Ujit të Ftohtë, Jonufrës e Zvërnecit, por edhe mes
shesheve, parqeve e parcelave me lule të rrugës Vlorë -Skelë. Ai shëmtim i qëllimshëm e masiv, shtyu mjaft njerëz që në biseda intime të shpreheshin kundër bunkerizimit të qytetit, gjë e cila i'u
kushtoi tepër shtrenjtë. Shumë prej tyre, u dënuan me burg, të akuzuar për "agjitacion e propagandë " kundër politikës së Partisë për fuqizimit mbrojtës të atdheut. Pra, kush ishte kundër
bunkerëve, konsiderohej tradhtar... ( Shënim i autorit ).
Çuditërisht, ishte pikërisht në të tilla mjedise, që u instaluan edhe më tepër bunkerë se kudo! Në fakt, një veprim i tillë, nuk qe thjesht i natyrës mbrojtëse
ushtarake. Përkundrazi, ishte diçka e menduar mirë e, bile, me qitje të largët. Malicioz e tepër djallëzor, mesazhi i tij ishte tepër domethënës e dërmues. Pak a shumë, nenë-teksti i tij ishte
ky: Qytetarë ! Largohuni nga plazhet, banjat, dielli, deti e zbavitjet! Atdheu ju thërret për mbrojtje, vigjilencë e djersë ushtari !
Bunkerët, të mbirë si kërpudha anë e kënd Shqipërisë, u benë Shkëmb Sizifi për një popull të tërë i cili, nenë trysninë e propagandës, shtrëngohej të besonte se, me
anë të tyre jo vetëm mund të mbrohej por dhe të thyente çdo sulm nga jashtë. Në Bregdet, bie fjala, para viteve '60, njësi të tilla ishin simbolike e të përqendruara në tre-katër pika të
caktuara. Ndërsa, më vonë, vetëm në qytezën e Himarës, nga një togë ushtarësh që ish më parë, u krijuan disa brigada speciale. ( Në atë zonë, përveç shtimit të trupave u ngritën edhe posta
kufitare e post-blloqe, ku kontrollohej me rreptësi identiteti i çdo udhëtari. Më pas, zona e Himarës, u bë ndofta një nga vendet më të militarizuara të vendit, për shkak të fillimit të
ndërtimeve të një baze ushtarake tepër strategjike.
NDERTMI I BAZES SE PORTO – PALERMOS
Qe pikërisht, në kuadrin e atij militarizimi të përgjithshëm, që Partia vendosi ndërtimin e bazës ushtarako-detare të Porto-Palermos. Gadishull i vogël sa një
gisht, 100 e ca vjet më parë, nuk i kish shpëtuar vëmendjes e mprehtësisë së Ali Pashë Tepelenës. Ai, kish ndërtuar aty, një kala mbrojtëse e vrojtuese. Askujt, ndër gjithë brezat që kishin
jetuar atyre anëve, nuk u kish shkuar mendja kurrë se, një shekull më vonë, pikërisht në zemrën e atij gjiri shkëmbor, do të ngrihej një fortesë tjetër, por kësaj radhe e nenëujëshme.
Ato vende të ashpra e njëkohësisht magjike, në rrjedhën e shekujve kishin parë lloj-lloj kalorësish, armatimesh, kapedanësh, uniformash e flamurësh. Romakë,
anzhuinë, saraçenë, katalanas, venecianë, italianë e gjermanë. Por, kësaj rradhe, vizitorët do të vinin nga shumë larg. Nga mbrapa diellit. Nga stepat e thella të Azisë së largët. Partia, i'a
kish besuar ndërtimin e bazës së Porto-Palermos, Kinës Popullore të Maos.
Ushtarakët e parë kinezë në Himarë, u dukën aty nga fillimi i viteve '70. Të heshtur, diskretë e me uniforma ngjyrë preshi, ata nuk ndaleshin fare në qytezën buzë
Jonit, por vazhdonin rrugën më tej, aty ku shtriheshin pronat e Vezirit të Janinës. Ashtu si dikur, sovjetikët, të cilët patën zgjedhur për bazën e tyre më të madhe në Mesdhe, një pasha - liman,
edhe kinezët kishin vendosur t'a ndërtonin të tyren, në karakollin e një pashai.
Reaksioni i parë i banorëve fodullë të Bregdetit, qe pakënaqësia dhe zemërata. Veçanërisht, kur mësuan se rruga automobilistike Qeparo-Himarë, s'do kalonte më buzë
detit, mbi Porto-Palermo, por në drejtim tjetër. Pra, qarkullimi në të do ndërpritej, ndërsa rruga e re zëvendësuese, do kalonte matanë maleve, pranë Pilurit. Rrjedhimisht, ajo pjesë e bukur e
bregdetit, ish shpallur zonë sekrete e, vendi përreth, do rrethohej me tela me gjemba e ushtarë.
E vërtet, s'vonoi e për pak kohë, Himara, do të shihte aq shumë ushtarë, aq sa ndofta kish parë gjatë gjithë ekzistencës së saj. Dhe jo vetëm ushtarë. Qindra e
qindra vetë, nga fshatrat përreth, natyrisht me biografi të mirë, nisën të punonin në Porto-Palermo. Ç' po ndërtohej aty ? Qysh ? Për ç'qëllim ?.
Çdo hollësi rreth atyre pyetjeve, qe me shumë rrezik. Njerëzit arritën të mësonin vetëm se po ndërtohej një objekt ushtarak tepër sekret dhe aq. Për më se 20 vjet
me rradhë, aty në shkëmbinjtë e nënujshëm të Porto-Palermos, u zhvillua një nga betejat më absurde të ekzistencës totalitare. Ndërtimi i një tuneli ciklopik për strehimin e nenëdetseve. Një
tunel, i cili, sipas strategjisë surrealiste shqiptare, do të kontrollonte si në pëllëmbë të dorës, çdo lëvizje ushtarake në detin Mesdhe.
... Pata rastin ta shoh atë bazë, vetëm një herë në jetën time. Ishte viti 1988. S'kisha as idenë më të vogël rreth madhësisë, formës e trajtave të asaj çka qe
ndërtuar aty qysh prej shumë vjetësh, prandaj, kur u ndesha me pamjen e saj, shtanga i befasuar. Habia e turbullimi, ishin aq tronditës, sa që nuk kam për t'i harruar kurrë. Imagjinoni veten
tuaj, në hyrjen e një megatuneli me përmasa gjigante. Pikërisht në zemrën e një mali shkëmbor. Në një vepër jashtë mundësive e fantazisë njerëzore !...
SHPELLA E POLIFEMIT ...
Për një çast, m'u duk se po përjetoja imazhet fantazmagorike, të miteve të lashta greke. Hyra brenda e, për sa kohë qëndrova në të, e ndjeva veten në një botë
tjetër. Ku ndodhesha ?! Në shpellën e Polifemit, në honet e Qikllopëve, në mbretërinë e nenëujëshme të Poseidonit? O perëndi! Si ish e mundur që diçka e tillë, e krahasueshme me piramidat e
Egjiptit, t'a kishin bërë shqiptarët ? Për vite me radhë, njerëzit kishin luftuar e qenë përleshur si të marrë, me malin. Për t'i shkëputur nga gjoksi zemrën. Mundimi eternel i Sizifit, vërtet
ish qesharak, krahasuar me atë punë torturuese, sa absurde aq edhe e pakonceptueshme.
Por, hiper-tuneli i Porto-Palermos, ndërtuar për strehimin e dy nenëdetseve të vetme shqiptare, nuk konsistonte vetëm në shpellën qikllopike, sa të thellë aq dhe të
lartë e të mbyllur me porta metalike dhjetëra tonëshe. Brenda tij, mund të futej një qytet i tërë. Qe plot degëzime, anekse, zyra, depo e mjedise ku qenë instaluar rezervuarë karburantesh,
armatime të llojeve të ndryshme, ofiçina mekanike, pjesë këmbimi për mirëmbajtjen e mjeteve ushtarako-detare etj. Ish një çmenduri e vërtetë, të mendoje se, për gërryerjen e ndërtimin e tyre,
qenë shpenzuar miliarda e miliarda lekë. Qenë blerë makineri gjigante speciale e tepër të shtrenjta në Suedi e, mbi të gjitha, kishin punuar mijëra e mijëra njerëz.
E kjo, përse? Përse, vallë? Njëmijë herë, përse?... Kur dola nga baza, isha endé i shastisur nga impresioni absurd e njëkohësisht trullosës i një mega-investimi të
tillë njerëzor e financiar. ( Aq sa vlera e tri hidrocentraleve, apo ndoshta, ndërtimi i një jete më dinjitoze për një popull të vogël tre milionësh ).Dhe pyetjet e mia torturuese vazhdonin: Pse
vallë ishin shpenzuar gjithë ato vlera e energji kolosale njerëzore e monetare ? Në emër të cilës utopi, një popull i tërë qe hequr zvarrë, duke bërë një jetë mizerabël ? Në emër të cilës
Perëndie, iluzioni, aventure a marrëzie ?
Ish buzëmbrëmje e, horizonti mbi detin Jon, kish marrë një ngjyrë të purpurte gjaku. Fare pranë hyrjes së tunelit qikllopik të Porto-Palermos,të akostuara në mol,
dy nëndetëse të vjetra e të ndryshkura, tundeshin lehtë si të përgjumura përbri njëra-tjetrës. Sa shumë mundim e lëngatë prej Sizifi qe harxhuar, për të ruajtur ndryshkun e tyre të përjetshëm. Sa
shumë ! ...
(Botuar ne gazeten "Illyria" - New York, 3 mars 2006 )