Partager l'article ! Charles Baudelaire - Albatros dhe poezi të tjera: CORRESPONDANCES * (Përqasje) Natyra është një tempull ku sht ...
CORRESPONDANCES *
(Përqasje)
Natyra është një tempull ku shtylla të gjalla
Pëshpërisin shpesh fjalë që s’merren vesh;
Njeriu kalon mes saj e përshkon pyje simbolesh
Që të vështrojnë sikur të njohin prej vjetësh
Si jehona të gjata që vijnë përzishëm nga larg,
Nga një e errët dhe e pakufishme gjithësi,
E pafund si nata e si drita qiellore vetë
Ajo përcjell ngado ngjyra, parfume e melodi.
Erëra të mira si aromat e trupit të foshnjës
Të embëla si tingujt e oboes, të gjelbra si livadhe
- e të tjera aroma të forta, të vyera e ngadhënjimtare,
që kanë fuqi të pushtojnë qiej e gjithësi pafund,
Aroma parafine, myshku, rezine e temjani,
që shpirtit e ndjenjave u kendojnë ode e lavde ...
( * Kjo sonetë, e cilësuar si një nga më të përkryerat e Charles Baudelaire është, ndofta, ndër më të komentuarat mes poezive të tij të njohura. Autorët simbolistë kanë nxjerrë prej saj esencën e
bazat estetike të shkollës së tyre. Prej saj u frymëzua edhe Arthur Rembaud, i cili shkroi më pas, “Sonnet des Voyelles“ ( Sonetë e Zanoreve ) e, po ashtu prej filosofisë së saj, poezia moderne
shfaqi e manifestoi tiparet e kuptimin e saj të thellë. Eshtë interesant të vemë në dukje një fakt tjetër të çuditshëm. Ngjajshmërinë mes kësaj poezie e, një tjetre që mban po të njejtin titull e
që është shkruar nga okultisti Eliphas Lévi ku, ndër të tjera ka tri vargje ku thuhet:“Cdo ide pjell një figurë – Dhe çdo formë është një imazh – E padukshmja është brenda së
dukëshmes“)
ALBATROSI
Në lundrime te gjata mes honesh plot llahtarë,
Shpesh herë detarët thjesht për t’u zbavitur
Kapin albatrosë, madhështorët zogj të detit
Shoke t’i kene në udhëtimet e tyre të pafund ...
Dhe i lenë aty të lidhur keqaz mbi kuvertë,
Këta mbretër kaltërsish që ligshtaz katandisen,
Si lolo, krahë varur vajtueshëm e hequr zvarrë,
Tundur si çalashë mbi dërrasa paq të lemerisur.
Sa tuaf e qesharak ky shpend i lartësive !
Sa komik e shëmtaq, ai i bukuri i qiejve !
Nje e godet në sqep me çibuk e plaset gazit,
Një tjetër bën si i çalë e tall të ngratin fluturak !
Kështu edhe Poeti ngjan me këtë princ të reve
Që endet mes stuhish e qesh me shkrepëtima;
Mbërthyer në të huajën tokë mes talljesh mizore,
Me krahë madhështorë qës’merr dot fluturim ...
( ... Poeti është mbret në universin e tij. Ai, si Albatrosi, është princ i qiejve e nuk u trembet stuhive e, krenarisht u qeshet shkreptimave, atyre që e godasin tinëzisht me shigjeta.
Poeti është një krijesë e destinuar për të tilla fluturime e, në tokë e ndjen vehten keqaz, rrob të përvuajtur të njerëzve e të një shoqerie e cila mizorisht e tall e nuk arrin t’a kuptojë
kurrë – Shenimi im )
PENDESE PAS
VDEKJES
(Remords Posthume)
Ndërkohë që ti do të flesh, o e bukura ime e
zymtë
Përjetësisht, gjumin tend në një varr mermeri të zi,
Në një varr që s’do ketë salltanete, buste e relieve
Në një varr të vockël, një gropë e qilar plot lagështi ...
Pllaka e tij e rende do shtypë sisat e tua të ndrojtura
E kofshët e tua të buta e të ngathëta renë në limonti,
Dhe zemren tende pa rrahje, pa jetë e dashuri ...
E do pengojë që kembët e tua të gjata e të shpejta
Të rendin pa lodhje drejt epshesh e lojnash aventure.
Në netet e mia të gjata pa gjumë dhe syrgjynosur
Sekretin tend varri yt në fshehtesi do m’a tregojë
( Sepse vetem varri i kupton tamam poetet )
Pyetjes që ai të pat bërë:
- E ç’kuptim ka, moj kurtizankë
Qe s’dite kush derdhi lot mbi varrin tend ?
Dhe krimbat mishin tend do hanë pak e nga pak
Si një brerje e pa fund ndergjegjje ...
LE LETHE *
Eja, zemra ime, shpirt i shurdhët e mizor,
Tigër i adhuruar, monstra ime e plogët;
Eja ! Ka kohë që endërroj të zhys gishtat
E mi të dridhshëm thellë mes flokëve të tu.
T’i fus poshtë fustanit që mban tëndin parfum
E të kredh mbi të kokën time plot dhimbje.
Të thith aty si prej një luleje të vyshkur
Erën e rendë të dashurisë sime funebre.
Të fle dua! Të mos rroj po të fle
Në një gjumë të embël përjetësisht.
E trupin tend të lemuar si bakër
T'a mbuloj me puthjet e mia pa pendesë,
E të kapërdij mbi të lotë ngushëlluese.
Honi i shtratit tend s’do më frikësojë
E as harresa që rrjedh nga e jotja gojë
Bashkë me të tuat puthje si léthé - ja …
Do të bindem ty me lot e plot përulje
Martir i bindur, i denuar pa asnjë faj
* Léthé – Kështu quhet në mitologjinë greke një prej pesë lumenjve të Ferrit, i cili ndan
Tartarinë nga fushat e Elizesë. Shpirtërat e të vdekurve, duke pirë ujë në ketë lumë, harronin krejtësisht çdo kujtim nga e kaluara e tyre.
VDEKJE E EMBEL
Aty në një copë truall plot humus e kërminj
Do desha t’a gërmoj gropën time thellë vetë,
Me nge të shtroja rradhë kockat e drobitura,
Të flija në harrim si peshkaqen në dallgë
I urrej testamentet e varret plot shkëlqim ;
E në vend të lotëve e vajeve në të gjallë,
Do doja të ftoja më mirë korbat e zeza sterrë
Të pinin gjakn’ e kërmës sime për të vjellë.
O krimba të dashur miq të mi pa sy e veshë,
Drejt jush po vjen një vdekës i lirë e hokatar;
Rrofshin filosofët, bij bushtrash dhe kurvarë,
Turruni në kufomen time pa brengë e hiç mëshirë
E thomëni a ka mbetur vallë ende ndonjë torturë
Për trupn’ tim pa shpirt, vdekur mes të vdekursh’
(Shqipëroi: Vasil QESARI)